Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur në lagjen “Veternik” në Prishtinë.
Sipas Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 10:30.
“Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Personi i plagosur është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë thuhet se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar se personit të plagosur me armë zjarri janë duke iu kryer ekzaminimet.
“Një pacient, F. A., sillet në Qendrën Klinike Emergjente të QKUK-së, si pasojë e plagosjes me armë zjarri. Ekipi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritët të intervenohet në sallën e operacionit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë”, ka njoftuar QKUK-ja.