PËRGATITI: SARA MULLIQI
Gjysma e afatit për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët publikë tashmë ka përfunduar fare pak prej tyre e kryen këtë detyrim.
Vetëm 1,500 zyrtarë publikë nga rreth 11,000 sa janë të obliguar e kanë përfunduar këtë proces.
“Deri tash kemi interesim të mirë, 1,500 nuk janë pak, por prapë si përqindje nuk është e mirë. E kemi tashmë edhe më shumë se dy javë për të kryer këtë obligim”, tha Yll Buleshkaj.
Sipas Yll Buleshkajt nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, i tërë procesi i deklarimit të pasurisë konsiderohet të jetë i lehtë.
“Nuk ka nevojë më të sjellet asnjë formular në Agjenci, nuk ka nevojë të printohet apo nënshkruhet, gjithçka kryhet në formë elektronike.”, shtoi tutje Buleshkaj.
Megjithatë, njohës të fushës së drejtësisë vlerësojnë se nuk duhet pritur deri në përfundim të afatit për të kryer këtë proces.
“ Do të ishte më mirë që deklarimi të kryhet së paku deri më datën 25 Mars për ti lënë hapësirë eventualisht kontrollit të gabimeve të mundshme teknike që mund të rrjedhin gjatë deklarimit të pasurisë dhe për t’iu lënë hapësirë përmirësimeve deri në përfundim të afatit”, tha avokati Emrush Kastrati.
Afati për deklarimin e pasurisë mbyllet më 31 mars. Vitin e kaluar deklarimin e pasurisë e kishin kryer të gjithë zyrtarët publik ndonëse 96 prej tyre me disa ditë vonesë.