Në rrjetin social TikTok ka nisur një fushatë denigruese ndaj gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani Hajra, e cila aktualisht është duke udhëhequr një rast të ndjeshëm gjyqësor ndaj Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte gjatë luftës në Kosovë.
Në një nga videot që po qarkullon në këtë platformë, gjyqtarja kërcënohet dhe etiketohet si “gjyqtare e rreme”, një pretendim që synon të njollosë figurën e saj publike dhe të cenojë kredibilitetin e saj profesional.
Kjo video qe përfshinë kërcënime dhe sulme të tjera drejt shtetit të pavarur të Kosovës është publikuar nga një përdorues i TikTokut me emrin ‘MiljanRakic15’, i cili vazhdimisht poston video me përmbajtje të tilla, nxitës, ofenduese dhe denigruese për zyrtarët shtetërorë të Kosovës. Ai gjithashtu sjell video me shtrembërim të historisë sikurse në rastin e gjyqtares Namani Hajra e cila është e angazhuar në drejtimin e njërit prej proceseve më delikate që lidhen me krimet e luftës në Kosovë, çështje që kanë ndjeshmëri të lartë shoqërore dhe historike.