Gjyqi civil mes aktorëve Blake Lively dhe Justin Baldoni është shtyrë për dy muaj dhe tani do të nisë më 18 maj 2026, në vend të datës së planifikuar më herët, 9 marsit. Vendimi u mor nga gjyqtari Lewis J. Liman në Gjykatën e Qarkut të New Yorkut, i cili sqaroi se disa çështje penale që ndodhen në axhendë kanë përparësi ndaj proceseve civile.
Gjatë seancës së fundit, gjyqtari Liman u ka sugjeruar palëve që të shqyrtojnë mundësinë e një zgjidhjeje jashtë gjyqit, duke theksuar se një marrëveshje mund të shmangte një proces të gjatë dhe të vështirë për të dyja palët. Ky proces gjyqësor nisi pasi Lively paditi Baldonin, duke e akuzuar për ngacmim seksual dhe sjellje të pahijshme gjatë xhirimeve të filmit “It Ends With Us”, duke kërkuar mbi 160 milionë dollarë dëmshpërblim.
Justin Baldoni ka mohuar të gjitha akuzat, ndërsa kundërpadia e tij prej 400 milionë dollarësh kundër Lively dhe bashkëshortit të saj Ryan Reynolds është rrëzuar nga gjykata. Të dy aktorët pritet të dëshmojnë personalisht gjatë gjyqit, ndërsa një seancë tjetër paraprake është caktuar për 22 janar 2026.






