Megjithëse Gjykata e Posaçme shtyu seancën për ish-kryeministrin Sali Berisha një ditë më parë, në mënyrë që avokatët të dorëzojnë kërkesë për përjashtimin e gjyqtares, këta të fundit nuk kanë dorëzuar asnjë kërkesë as sot.
Pas tre seancash ku u dëgjuan të gjithë, SPAK që kërkon arrest shtëpiak dhe avokatët që kërkojnë refuzim të prokurorisë, gjykata nuk mundi të shpallë një vendim ndaj ish-kryeministrit as dje, duke e shtyrë për ditën e nesërme.
Zyra e shtypit njoftoi se vendimi që duhej dhënë të enjten do të shpallet më 30 dhjetor 12:00 që besohet se do të jetë dita kur do të merret një vendim final për kërkesën e SPAK-ut.
Avokatët kërkuan sërish dje përjashtimin e Irena Gjokës nga çështja që duhej dorëzuar me shkresa dhe jo verbalisht.
Parlamenti e dha një javë më parë autorizimin. Ndërkohë që mbrojtja pasi dëgjoi SPAK-un duket se po luan me njërën nga kartat, që është koha. Megjithatë ky moment është ndryshe pasi gjykata nuk është e kushtëzuar nga afati pesë ditor ku gjendej në fillim, atëherë kur kërkoi të pyetej Berisha pasi kishte vendosur detyrim paraqitjeje në mungesë.
Sidoqoftë SPAK-u ka thënë fjalën, arrest shtëpiak në adresën e deklaruar, që do të thotë mbikëqyrje policore dhe ndalim për të komunikuar me të tjerë përpos familjes. /tch