Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar ankesën e mbrojtjes ndaj vendimit të trupit gjykues që pranoi në prova dëshminë me shkrim të një dëshmitari, i cili ishte konstatuar se ishte ndikuar për të mos dëshmuar në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Zëdhënësja e Gjykatës, Angela Griep, ka sqaruar se, sipas Rregullës 155, trupi gjykues mund të pranojë deklaratat me shkrim të një dëshmitari, nëse vërtetohet se ai nuk ka dëshmuar për shkak të ndikimeve të paligjshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Griep, Paneli i Apelit ka konstatuar se shkalla e parë ka vepruar drejt kur e pranoi këtë dëshmi, duke theksuar se pesha e saj do të vlerësohet vetëm në fund të procesit.
“Rregullorja nuk lejon që vendimi për fajësi të bazohet vetëm, ose në masë vendimtare, në provat e një dëshmitari që mbrojtja nuk ka pasur mundësi ta marrë në pyetje”, ka deklaruar Griep.
Zëdhënësja njoftoi gjithashtu se është hedhur poshtë edhe një apel tjetër i mbrojtjes së Hashim Thaçit, që kishte kërkuar pranimin e pesë deklaratave të mëparshme me shkrim të një dëshmitari, të cilat trupi gjykues nuk i kishte pranuar.
“Vendimi u bazua në parimin se deklaratat mund të pranohen vetëm sipas procedurave të rregullta (Rregullat 153–155), përveç nëse pala kundërshtare pajtohet”, theksoi Griep, duke shtuar se vendimi është në përputhje me jurisprudencën e tribunalëve ndërkombëtarë.
Ndërkohë, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të akuzuar për vrasje dhe pengim të drejtësisë, më 12 tetor 2025, gjykatësja e procedurës paraprake ka kaluar zyrtarisht dosjen tek gjyqtari i vetëm.
Po ashtu, Griep ka bërë të ditur se është miratuar pjesërisht një kërkesë e Prokurorisë lidhur me materialet e sekuestruara në objektin e paraburgimit.







