Përgatiti: Nora Luta
Tri ditë pasi e aprovoi marrëveshjen për pranim të fajësisë, Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar Nenad Orlloviqin me një vit e tre muaj burgim për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës.
Orlloviqit, Gjykata për pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm i shqiptoi gjobën maksimale të propozuar nga PSRK-ja, 12 mijë euro.
Por Nenad Orlloviq, i njohur me nofkën “Rusi” dhe “Nemac”,do të qëndroj në burg vetëm edhe tre muaj, pasi atij do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, që nga 23 qershori i vitit të kaluar.
Orlloviq që e pranoi fajësinë, në seancën e mbajtur të premten e kaluar, për shqyrtimin e marrëveshjes me Prokurorinë Speciale, e mohoi para gjyqtares nofkën “Rusi” në të cilën thirret edhe në aktakuzë.
Por kishte përgjigjeje pozitive kur u pyet nëse është i pajtimit që dënimin me 6 muaj burg, ta paguajë në gjobë prej 10 mijë deri në 12 mijë euro.
Orlovic akuzohej për pjesëmarrje në protestën e 29 majit në Zveçan, dhe sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, dhe të Policisë së Kosovës.
Sipas aktakuzës ai me mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe me armë zjarri, bashkë me persona të tjerë kishte ushtruar dhunë të pakontrollueshme.
Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it kishin mbetur të lënduar.
Për pjesëmarrje në të njëjtën protestë, në shkurt të këtij viti është dënuar Radosh Petroviq e Dushan Obrenoviq, pasi të dy e kishin pranuar fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me PSRK-në.
Ndërsa në paraburgim nga java e kaluar është edhe Lazar Dejanovic, i cili sipas dosjes së PSRK-së, bashkë me të pandehur tjerë kanë marrë pjesë aktive në turmën e personave, me qëllim të kryerjes së veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës në katër komunat veriore të vendit.