Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka shpërndarë reagimin e Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me sulmet verbale ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) nga anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
Duke ripostuar reagimin e BE-së, ambasadori Guerot shkroi se “Plotësisht e mbështes deklaratën e BE-së. Media janë pjesë e një demokracie funksionale”, duke theksuar se raportimi i lirë dhe i pavarur është thelbësor për çdo shoqëri demokratike.
Zyra e BE-së në Kosovë në një reagim ditën e sotme, ka dënuar gjuhën e përdorur nga anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe mediumeve në vend, përfshirë Reporteri.net.
BE ka bërë thirrje që këto praktika të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave të marrin fund.
“BE-ja në Kosovë e dënon sulmin dhe gjuhën e përdorur nga anëtari i LVV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, i cili e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës – AGK “aleancë të grupeve kriminale”, dhe bën thirrje që praktika të tilla të marrin fund. Liria e medias duhet të mbrohet në çdo shoqëri demokratike – 🇪🇺 do të vazhdojë ta mbështesë 🇽🇰 në zhvillimin e saj”, thuhet në reagim.







