Përgatiti: Armand Hoti
Bizneset kosovare përfituan në emër të sponsorizimit të aktiviteteve sportive, pa vërtetim të lëshuar nga Ministria Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në periudhën 2020-2022.
Referuar gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në këtë formë, u dëmtua kuleta e shtetit për mbi një milion euro.
“Lirimi nga tatimi i kompanive pa vërtetime nga MKRS-ja, me qëllim të sponsorizimit të aktiviteteve sportive, në vlerë 1,083,246 euro dhe po ashtu, mostransferimi i mjeteve për sponsorizim në klube, në vlerë 490,347 euro, ka shkaktuar dëmtim të buxhetit të vendit në shumën prej 1,573,593 euro për vitet 2020-2022”, thuhet në përgjigjen e ZKA-së.
Sqarime për dëmin buxhetor, kërkoi kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, nga ministri i MKRS-ës, Hajrullah Çeku, dhe drejtori i Agjencisë Tatimore, Ilir Murtezaj.
“Na trego drejtor, a kemi raste kur pa vërtetim dikush lirohet prej tatimit, sepse nëse monstra është 10%, atëherë i bie që dëmi buxhetor mund të shkojë shumë më shumë?”, tha Hykmete Bajrami, kryetare e Komisionit.
Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se agjencia që ai udhëheq, është angazhuar për kthimin e mjeteve.
“Sistemi elektronik është në atë formë, që deklaratën e tatimpaguesit e proceson në atë formë si e deklaron tatimpaguesi, mbetet ATK-ja ta verifikojë më pas”,
tha Murtezaj.
Ndërkaq, ministri Hajrullah Çeku vlerëson se Ligji për sponsorizim, ka nevojë për ndryshime.
“Zgjidhja përfundimtare për sponsorizime është plotësim-ndryshimi i Ligjit dhe për këtë, zonja kryetare, kemi nevojë për një debat shumë më të gjerë… veprimet janë te 26 raste të konstatuara mbi 1 milion euro”, tha Çeku.
Referuar gjetjeve të auditorit, Ministria ka financuar federata që nuk ishin të pajisura me licencë, gjatë kësaj periudhe.
“Kur nuk ka licencë, nuk ka edhe financim, pra shumica e federatave kanë qenë në proces të marrjes së licencës, por na kanë thënë kështu: ne na duhet me vazhdu aktivitetin ndërkombëtar sepse këtë brenda Kosovës, edhe mund ta mirëmbajmë disi… dhe është kërku një zgjidhje e financimit vetëm për pjesëmarrje në garat dhe aktivitetet sportive ndërkombëtare”, tha Çeku.
Çeku tha se në Ministrinë që ai e drejton është nisur një proces që ka për synim hetimin e disa dyshimeve për keqpërdorim të Ligjit të sponsorizimit dhe se tashmë me këtë çështje po merret Policia e Kosovës.
Në raportin e ZKA-së përmendet edhe mungesa e strategjisë për zhvillimin e sportit.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: