Mijëra persona dolën në rrugët e qytetit të Meksikos për të protestuar kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, në një valë demonstratash të thirrura kryesisht nga të rinjtë, të njohur si Gjenerata Z. Autoritetet njoftuan se 120 njerëz mbetën të plagosur, mes tyre 100 policë – 40 prej të cilëve u shtruan në spital. Po ashtu, 20 persona u arrestuan.
Protesta ishte kryesisht paqësore, por u mbyll me përleshje mes një grupi demonstruesish dhe forcave të rendit. Sipas Pablo Vazquez, sekretar për sigurinë në kryeqytet, incidentet shpërthyen pasi disa protestues tentuan të shembnin barrierat përreth Pallatit Kombëtar, rezidenca e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum. Policia reagoi me gaz lotsjellës.
Kryetarja e qytetit, Clara Brugada, dënoi aktet e dhunshme duke deklaruar në X se “shprehja e dhunshme cenon të drejtat e të tjerëve” dhe se ato u kryen nga një grup i vogël radikal.
Një grup që e quan veten Generation Z Mexico publikoi një “manifest”, ku thotë se përfaqëson të rinjtë meksikanë të lodhur nga dhuna, korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Tubimet vijnë pas një sërë vrasjesh të profilit të lartë, mes tyre edhe ekzekutimi i kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Alberto Manzo Rodriguez, gjatë festimeve të Ditës së të Vdekurve.
Mbështetësit e Manzos, një kritik i hapur i krimit të organizuar, u panë të veshur me kapele kashte – simbol i lëvizjes së tij politike – teksa brohorisnin: “Carlos nuk vdiq, qeveria e vrau”.
Protesta të ngjashme u zhvilluan edhe në shtete të tjera, përfshirë Michoacán, ku Manzo u vra. Ndërkohë, qeveria meksikane pretendon se demonstratat u organizuan kryesisht nga kundërshtarë të djathtë dhe u shtynë përpara nga llogari të automatizuara në rrjetet sociale.







