Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Bashkimi Evropian pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, në aspektin e sigurisë është i paaftë. Në Forumin e Dubrovnikut, ku mori pjesë në panel së bashku me përfaqësuesin e BE-së për dialog Miroslav Lajçak dhe emisarin amerikan, Gabriel Escobar, Gërvalla ka vlerësuar se Bashkimi Evropian nuk mund të garantojë paqe dhe siguri në Evropë. Ky qëndrim i saj u replikua nga emisarët.
Pas marrëveshjes së Brukselit me 27 shkurt, dhe aneksit të Ohrit, Kosova dhe Serbia nuk mund te kthehen prapa, tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak.
Gjatë diskutimit në Forumin e Dubrovnikut në panel se bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla dhe emisarin amerikan, Gaberiel Escobar, Lajçak tha se njëra nga sfidat kryesore të Ballkanit Perëndimor është normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Më herët gjatë këtij viti u arritën 2 marrëveshje shumë të rëndësishme, këto marrëveshje na dhanë platformë të re në negociata dhe them se nuk ka më kthim prapa. Këto marrëveshje na japin dy obligime atë në mes të Kosovës e Serbisë dhe atë në mes të këtyre dy shteteve veçmas dhe BE-së. Natyrisht rrugës ka edhe pengesa dhe me çështjen e zgjedhjeve në veri ndodhi një pengesë. Tani kemi tre kushte për t’u kthyer në normalitet sepse duam t’i zbatojmë
marrëveshjet e arritura sepse nuk ka alternativë tjetër. Tani me platformën e re në negociata nuk mund të kthehemi pas”
Teksa tha se Kosova është shembulli më i mirë në rajon sa i përket sundimit tw ligjit, ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, u tregua skeptike nëse Bashkimi Evropian mund të garantojë paqe në Evropë.
“Pyetja kyçe është për sigurinë në Ballkanin Perëndimor është se a mund dhe a është Bashkimi Evropian unioni që mund të garantojë siguri dhe paqe në Evropë? Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet. Sepse nuk është në gjendje dhe e aftë për të ofruar siguri. Arsyet janë të dukshme: nuk ka vullnet politik, ka shumë mospajtim në union dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një ‘Tigër nga letra” në aspektin e sigurisë. Për shkak se ju e dini këtë, kërkoni paqe në vazhdimësi. Mirëpo, kjo është e rrezikshme. Paqësimi i BE-së me Rusinë ka bërë që Putini të përshkallëzojë”
Ky vlerësim i kryediplomates kosovare, siç duket nuk i pëlqeu emisarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Këtu më duhet t’i replikojë koleges nga Kosova, por gjithçka pozitive që po ndodhë në Ballkan është për shkak të bashkëpunimit evropiano-amerikan. Secili shtet tashmë ka lëvizur përpara. Natyrisht që kemi nevojë për siguri, por angazhimi i NATOs në rajon është shumë i rëndësishëm,. Ashtu ishte në Bosnje e edhe në Kosovë. Dallimi është që shtetet anëtare në NATO tashmë i kanë tejkaluar sfidat etnike. Por ato që vazhdojnë të kenë udhëheqësi që beson në popullzim e nacionalizëm dhe rivalitet etnik kanë shumë sfida. Andaj shpresoj të shfrytëzojmë dialogun procesin e zgjerimit në BE dhe angazhimin amerikan të ndihmojnë këto tre shtete në kthehen në rrugën që duhet të jenë e që është integrimi i plotë në BE.”
Për situatën në Ballkan, konkretisht në Kosovë, Gaberiel Escobar foli paraprakisht me gazetarë edhe në Zagreb.
Escobar tha se shpreson që kryeministri Albin Kurti do t’i pranojë kërkesat e ndërkombëtareve për tejkalim të krizës në veri. Sipas emisarit amerikan, ka
indikacione se Beogradi mund t’i pranojë kërkesat e BE-së, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet edhe për Prishtinën.