Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se gjuha shqipe është një e drejtë e fituar dhe nuk duhet të politizohet. Ai tha se vendimet për ligjin e gjuhëve duhet të bazohen në Kushtetutë dhe jo në presion politik.
Sipas Gashit, ligji për përdorimin e gjuhëve është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, por formulimi kushtetues ka krijuar paqartësi në interpretim.
“Ne ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe e kemi pasur një prej kërkesave kryesore gjatë Marrëveshjes së Ohrit dhe luftës së vitit 2001. Përfundoi me një amendament kushtetues, i cili, për fat të keq, le për të dëshiruar dhe ka ambiguitete brenda vetes”, tha Gashi.
Ai tha se tre nene të ligjit të gjuhëve, të cilat kanë qenë të kontestuara, nuk janë zbatuar asnjëherë në praktikë dhe për këtë arsye nuk duhet të jenë objekt politizimi.
“Bëhet fjalë për përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat gjyqësore, në uniforma, në polici dhe në banknota. Siç e dini, këto tre nene nuk janë implementuar. Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë pa ndikuar nga politika dhe jo të bjerë nën presion”, u shpreh Gashi.
Gashi tha se gjuha shqipe duhet të trajtohet si një nevojë e shtetit dhe jo si temë për debate politike të përditshme.
“Sa më shumë që arrijmë ta depolitizojmë këtë çështje, aq më shpejt do ta avancojmë. Përdorimi i gjuhës shqipe nuk duhet të jetë peng i lojërave politike, por një çështje që i bashkon qytetarët”, theksoi ai.
Deklaratën e plotë të Afrim Gashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: