Gara mes kandidatëve të AAK-së dhe atyre të NISMA-s vazhdon të jetë e fortë edhe kur deri më tani janë numëruar 92.58 për qind e vendvotimeve.
Nga ky numërim, koalicioni AAK-Nisma ka marrë 7.44 për qind. Me përqindjet aktuale në këtë numërim, AAK-Nisma do t’i ketë 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Për shkak të kuotës gjinore, përfaqësimi në kuvend nga ky koalicion duhet të jetë i përbërë nga pesë kandidatë meshkuj e tri femra.
Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Bekë Berisha, Time Kadrijaj e Arbëreshë Krasniqi vetëm se kanë siguruar ulëset e tyre. E për shkak të kuotës gjinore, një ulëse në kuvend pritet ta sigurojë edhe Xhevahire Izmaku.
Kandidatja për deputete nga radhët e NISMA-s ka marrë 9572 vota, duke e pasur pothuajse ‘të siguruar’ ulësen e saj.
Kontestues në këtë koalicion vazhdon të mbetet ulësja e shtatë.
Në garë për këtë karrige janë kandidati për deputet nga radhët e AAK-së, Lahi Brahimaj dhe ai i NISMA-s, Vesel Krasniqi.
Dallimi mes dy kandidatëve është vetëm për 246 vota.
Me përqindje e numëruar deri më tani, Brahimaj ndodhet më lartë me 10775 vota, ndërkaq Krasniqi ka 10529 vota, 246 vota më pak.
Numërimi është duke vazhduar akoma në disa qendra të numërimit, e deri në rezultatet e certifikuara kanë mbetur më pak se 8% për t’u numëruar.
Në rast se Vesel Krasniqi do të sigurojë një ulëse në kuvend, ndarja mes dy koalicioneve do të ishte plotësisht e barabartë. 4 deputetë do t’i takonin NISMA-s dhe 4 të tjerë AAK-së.