​FSK me afër 1 mijë trupa në ushtrimin më të madh ndërkombëtar

Kosova për herë të tretë që nga 2021, është nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar – të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë – “Defender Europe 2025” [Mbrojtësi i Evropës 2025]. Në këtë ushtrim i cili është më i madhi ushtarak shumëkombësh që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Kosova përveçse si mikpritëse do të marrë pjesë edhe me afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, raporton KosovaPress.

Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025”, tregon besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndaj Republikës së Kosovës.

Maqedonci për KosovaPress tha se ushtrimi “Defender Europe 2025”, këtë vit është edhe më i rëndësishëm, pasi për herë të parë në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e divizionit të tetë të kombësotisë, nga e cila komandë do të komandohen të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit.

“Ushtrimi Defender Europe 2025 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për faktin se vendi ynë do të jetë vend pjesëmarrës me trupat ushtarake të FSK-së në këtë ushtrim, jo vetëm për faktin që ne do të jemi mes 18 vendeve nikoqire të këtij ushtrimi, por edhe për faktin se këtë herë për herë të parë ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë ka besuar në shtetin e Kosovës, në institucionet tona, në ushtrinë e Kosovës që të vendos në Kosovë, në aeroportin e Gjakovës komandën taktike të divizionit të tetë të kombësotisë, komandë e cila do të komandojë me të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit… Ushtrimi Defender Europe 2025 është ushtrimi më i madh nga ushtria e SHBA-ve në kontinentin e Evropës këtë vit, marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere në tri zona të ushtrimeve”, tha ai.

I pari i Mbrojtjes në vend, tha se në ushtrimin më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, po marrin pjesë afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë – që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit – do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. E gjitha tregon për besimin që SHBA-të kanë në Republikën e Kosovës dhe në aftësinë e institucioneve tona për të mikpritur një ushtrim të përmasave të tilla”, tha ai.

Maqedonci theksoi se për Kosovën dhe sidomos për sektorin e mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor.

Ai shtoi se më 13 qershor në Pentagon, vetë ai do të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të mbrojtjes e cila, siç tha ai, është e para e këtij niveli që nënshkruhet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Për ne SHBA janë partneri ynë kryesor strategjik, sidomos partneri kryesor strategjik me të cilin bashkëpunojmë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ne dihet që më 13 maj kemi nënshkruar një marrëveshje që quhet SISMOA dhe adreson çështjen e informacionit të klasifikuar dhe aspekte të teknologjisë. Kurse, më 13 qershor është planifikuar që të nënshkruhet në Pentagon nga unë dhe përfaqësuesit e Departamentit të Mbrojtjes marrëveshja kornizë e mbrojtjes, marrëveshja e parë e tillë që bëhet në mes të Kosovës dhe SHBA-ve. Pavarësisht që shtetet edhe kur janë në stadin më të mirë të partneritetit mund të kenë mospajtime në çështje dhe aspekte të caktuara, ne me SHBA-të po zhvillojmë, thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin jashtëzakonisht shumë”, tha ai.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes për KosovaPress, thotë se mbajtja e këtij ushtrimi edhe në vendin tonë është mesazh politik se Kosova është vend stabil dhe i denjë i cili mund të kontribuojë për paqen në botë dhe rajon.

“Përveç që është mesazh politik që SHBA, partnerët tanë, por edhe ne si Republikë japim për regjionin dhe botën që Kosova është një vend stabil, një vend i denjë për të mikpritur organizime të tilla, është edhe një mundësi që njësitet tona ushtarake të ndërveprojnë me njësitë e NATO-s dhe që përmes ndërveprueshmërisë ne zhvillojmë aftësinë se në rast se kërkohet që njësitë tona bashkë me njësitë e NATO-s të zbarkojnë diku për ndonjë mision paqeruajtës, të kemi përgatitjet e nevojshme. Kjo tregon edhe për besimin që, mes të tjerash, vendet e NATO-s kanë në profesionalizmin e ushtrisë sonë, në doktrinën që e përfaqësojmë brenda ushtrisë sonë, në sistemin tonë të planifikimit, por edhe në blerjet ushtarake që i kemi të gjitha sipas standardeve të NATO-s”, theksoi ai.

Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ushtrimit “Defender Europe 2025” do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Ky ushtrim në Kosovë do të ndodhë nga 26 maj deri më 9 qershor./kp

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA