Kinematografia kosovare shënon një tjetër arritje të madhe ndërkombëtare. Filmi më i ri artistik i regjisorit Visar Morina, “Shame and Money”, është përzgjedhur për premierën botërore në Sundance Film Festival, një ndër festivalet më prestigjioze të filmit në botë.
Ky është një moment historik, pasi kjo shënon herën e dytë që Morina merr pjesë në kategorinë kryesore në Sundance – një sukses jashtëzakonisht i rrallë për një regjisor nga Kosova.
“Shame and Money” ndjek rrëfimin e një familjeje kosovare që, pasi humbet mjetet e jetesës në fshat, detyrohet të zhvendoset në Prishtinë në përpjekje për t’u bërë pjesë e shoqërisë hiperkapitaliste të kohës sonë.
Në rolet kryesore shfaqen emra të njohur të aktrimit shqiptar, përfshirë Astrit Kabashi, Flonja Kodheli, Kumrije Hoxha, Fiona Gllavica, Alban Ukaj, Aria Shala, Riga Morina, Melika Gashi, Selman Lokaj, Teuta Hajdini, Abdinaser Beka, Rebeka Qena, Tristan Halilaj, Basri Lushtaku, Rafet Abazi, Besnik Krapi dhe Eshref Durmishi.






