Sipas mediave ndërkombëtare, studioja “Paramount Pictures” do të publikojë filmin “Rush Hour 4”, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar personalisht rikthimin e vazhdimit të katërt të serisë së njohur komedi-aksion.
Besohet se Trump i ka kërkuar Larry Ellisonit, themelues miliarder i kompanisë “Oracle”, e cila zotëron studion “Paramount”, të nxjerrë versionin e ri të filmit me aktorët protagonistë, Jackie Chan dhe Chris Tucker.
Kanë kaluar pothuajse dy dekada që nga publikimi i “Rush Hour 3”, dhe nuk ka pasur lëvizje për vazhdimin e katërt, që kur “Warner Bros” ndërpreu bashkëpunimin me regjisorin Brett Ratner në vitin 2017, pas akuzave për sjellje të pahijshme seksuale. Ndër vite, disa studio janë kontaktuar për realizimin e filmit të ri, për të cilin tashmë ekziston skenari, por përfshirja e Ratner-it thuhet se ka pezulluar projektin.
Filmat “Rush Hour” janë ndër të preferuarit e presidentit Trump, së bashku me tituj të tjerë si “Goodfellas”, “Godfather”, “The Good, the Bad and the Ugly” dhe “Citizen Kane”.
Ndërsa shumë yje të Hollywood-it kanë qenë kritikë ndaj Trumpit, aktorët Jackie Chan dhe Chris Tucker nuk e kanë sulmuar publikisht udhëheqësin republikan.







