Ish-ministri i Shëndetësisë dhe profesori i njohur i neuropsikiatrisë, Ferid Agani, ka qenë i ftuar në studion “A” të Blerona Zeqirit, ku foli rreth gjendjes aktuale të shëndetit mendor në Kosovë.
Agani theksoi se vitet e fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e vetëdijes së qytetarëve për rëndësinë e vizitave te psikologët dhe psikiatrit. Sipas tij, kjo është një shenjë pozitive e emancipimit shoqëror dhe e kuptimit se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa ai fizik.
“Populli ynë ka filluar të kuptojë se kërkimi i ndihmës profesionale nuk është dobësi, por një hap i madh drejt shëndetit dhe stabilitetit jetësor. Sot shohim shumë më tepër njerëz që vizitojnë psikologun apo psikiatrin krahasuar me të kaluarën,” tha Agani gjatë intervistës.
Edhe pse tashmë ka dalë në pension, ai tregoi se nuk është shkëputur nga profesioni dhe vazhdon të kontribuojë në fushën e shëndetit mendor përmes punës dhe përvojës së tij shumëvjeçare.
“Unë nuk e kam lënë ende punën. Shëndeti mendor është një mision që nuk njeh pensionim,” u shpreh Agani.
Deklaratat e tij ngjallën reagime pozitive, duke hapur diskutimin mbi nevojën për mbështetje më të madhe institucionale dhe shoqërore ndaj shëndetit mendor në Kosovë.