Fehmi Kupina është rizgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ai mbante të njëjtin post edhe gjatë mandatit të kaluar.
Kupina, i cili më parë ishte pjesë e LDK-së, kishte dhënë dorëheqje për të themeluar partinë e re “Lidhja për Prishtinën”.
Kjo parti arriti të sigurojë katër vende në Kuvendin Komunal, ndërsa Kupina u nominua për të vazhduar drejtimin e Kuvendit.
Në votimin e sotëm, Kupina mori 31 vota pro, katër kundër dhe dy abstenime, duke konfirmuar kështu rizgjedhjen e tij në këtë post.
Ai falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe premtoi angazhim të plotë për funksionim të drejtë dhe efikas të Kuvendit.
“Është nder i madh të marr këtë detyrë, të cilën e marr me përgjegjësi. Garantoj për funksionim të drejtë, efikas dhe të hapur për të gjithë”, tha Kupina pas rizgjedhjes.






