Raporti: Fatlum Jashari
Kompanitë që ofrojnë automjete me qira po kërkojnë plotësim-ndryshimin e ligjit të ri për rregullat e komunikacionit rrugor.
Në shoqatën me rreth 100 biznese të rentave u shprehën të shqetësuar për faktin se po u sekuestrohen automjetet, si pasojë e shkeljeve të kryera nga klientët.
“Automjeti konfiskohet në kohëzgjatje derisa ai person ka ndalesë në patentë shofer, që për biznesin është absurde, sepse ai person që merr makinën me qira, nuk është pronë e tij, dhe biznesi nuk ka mundësi të bëjë verifikimin”, tha Albion Shala, kryetar i shoqatës.
Bizneset ankohen për koston e lartë financiare dhe procedurat e gjata për kthimin e automjeteve.
“Është liruar automjeti pas 29 dite. Në fund të kësaj periudhe, unë jam detyruar të shkoj dhe ta marrë automjetin prej pikës grumbulluese, dhe më është dashur të paguajë bartjen e automjetit, plus qiranë ditore të atij biznesi privat…Shuma të cilën e kam paguar është 175 euro për bartje dhe qiranë ditore”, tha Kushtrim Shaqiri, pronar i një “Rent a Car”.
Nëse kërkesat e tyre nuk merret parasysh, sipas Shaqirit, dëmet mund të jenë të pariparueshme.
“Nëse vazhdon kjo problematikë na largon prej punës, sepse, humbjet financiare janë të mëdha marrë parasysh që funksionojnë si biznese sezonale”, tha Shaqiri.
Deputetë të partive opozitare në Kuvend e vlerësuan të domosdoshëm plotësim-ndryshimin e ligjit.
“Konsideroj se do duhej të rikthehet ligji me një procedurë krejtësisht të re nga fillimi dhe të rishkruhet, ripërpunohet, ri dizajnohet në shumë pika dhe jo vetëm në këtë”, tha deputeti i PDK-së, Ferat Shala.
“Është e padrejtë nëse ke rent dhe konfiskohet automjeti i Rentës, duhet të rishikohet ligji dhe të amandamentohet, sepse nuk ka dokument të vdekur”, tha deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.
Pushtetarët tashmë janë në dijeni të këtij shqetësimi.
“Do të konsultohemi me institucionet tjera relevante, dhe shumë shpejtë do të kemi një përgjigje konkrete se çfarë do të ndërmarrim ne dhe kompanitë në fjalë në mënyrë që ky problem të zgjidhet”, tha deputetja e LV-së, Fitore Pacolli.
Ligji i ri për rregullat në trafikun rrugor, me të cilin janë ashpërsuar ndëshkimet për kundërvajtësit, ka hyrë në fuqi më 3 Prill.