Autoritetet shëndetësore në Etiopi kanë konfirmuar të hënën tre vdekje nga virusi hemorragjik Marburg, një sëmundje jashtëzakonisht e rrezikshme që mund të jetë fatale deri në 88% të rasteve të infektuara.
Ministrja e Shëndetësisë, Mekdes Daba, njoftoi se nga 17 raste të dyshuara të testuara në rajonin Omo, tre kanë rezultuar fatale. Shpërthimi u shpall zyrtarisht të premten, megjithëse aktualisht nuk raportohet për raste aktive. Ajo tha se qeveria po merr masa parandaluese për të frenuar përhapjen e virusit të ngjashëm me Ebolën.
Në zonën e prekur është dërguar një ekip i përbashkët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC), për të mbështetur testimin, gjurmimin dhe kontrollin e shpërthimit.
Ndërkohë, Sudani i Jugut, i cili kufizohet me rajonin ku u raportua shpërthimi, lëshoi të dielën një këshillë për shëndetin publik, duke u kërkuar banorëve të katër qarqeve të shmangin kontaktin me lëngje trupore dhe të lajnë duart rregullisht.
Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, e quajti situatën “shqetësuese”, duke theksuar se Sudani i Jugut ka një “sistem shëndetësor të brishtë”, gjë që mund ta bëjë më të vështirë kontrollin e shpërthimit nëse virusi përhapet përtej kufirit.
Çfarë është virusi Marburg?
Ashtu si Ebola, Marburg e ka origjinën tek lakuriqët e frutave dhe mund të përhapet midis njerëzve përmes kontaktit të ngushtë me lëngje trupore të të infektuarve ose sipërfaqe të kontaminuara, përfshirë çarçafët apo objektet personale.
Simptomat përfshijnë:
• ethe të larta
• dhimbje muskujsh
• diarre
• të vjella
• dhe në raste të rënda, gjakderdhje të brendshme ose të jashtme që mund të çojnë në vdekje.
Aktualisht nuk ka vaksinë ose trajtim të autorizuar për virusin.
Shpërthime të mëparshme
Edhe pse të rralla, shpërthimet e Marburgut konsiderohen jashtëzakonisht serioze. Sipas OBSH-së, raste të mëparshme janë regjistruar në Ruandë, Tanzani, Guine Ekuatoriale, Angolë, Kongo, Kenia, Afrikën e Jugut, Ugandë dhe Ganë.







