Kryetarja e partisë ‘Alternativa’, Mimoza Kusari-Lila, në emisionin CONTEXT në ATV, reagoi sërish ndaj akuzave për komunikim të saj me Milan Radoiçiqin, duke i cilësuar ato si të fabrikuara dhe të montuara nga Lista Serbe pas largimit të tyre nga Kuvendi.
Ajo tha se Lista Serbe ka dalë nga Kuvendi në vitin 2022 dhe se komunikimi që i atribuohet asaj është publikuar vetëm pas sulmit në Banjskë, duke thënë se për këtë ka ngritur kallëzim penal.
“Lista Serbe ka dalë prej Kuvendit, nuk ka marrë pjesë më prej qershorit të vitit 2022. Në nëntor të vitit 2022 kanë dorëzu mandatet, kanë dhënë dorëheqje të gjithë, përfshirë edhe policë, gjyqtarë, prokurorë… Komunikimet e para kur kanë dalë kanë qenë 15 muaj pasi Lista Serbe nuk ka qenë më në Kuvend. Ai komunikim, unë e kam ngritë kallëzim penal edhe për atë komunikim, dhe ekziston dosja në prokurori. Kallëzimin e parë penal e kam bërë më 1 gusht 2023”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo akuzoi edhe mediat, duke thënë se kanë publikuar material të fabrikuar, pa e vënë në dyshim burimin e tij, ndërsa mohoi çdo bisedë me Radoiçiqin.
“Prapë, fatkeqësisht, mediume kosovare, shqiptare në Prishtinë kanë qitë material të fabrikuar, në të cilin kinse unë flas me Radoçiqin. Unë i qëndroj të njëjtave fjalë që i kam thënë natën e parë, natën e dytë dhe natën e tretë në studio, dhe i qëndroj me përgjegjësi edhe penale. Ajo është komplet me regji e redaktume. Si mundet dikush me e qitë në maj ose qershor të vitit 2024 dhe askush mos ta bëjë pyetjen: kush ua dha këtë material?”, tha Kusari-Lila.
Deklaratën e plotë të Mimoza Kusari-Lilës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: