Përgatiti: Arian Hajdaraj
Plot pesë kandidatë shqiptarë garojnë për kryetar të komunës së Preshevës, në zgjedhjet lokale në Serbi, që planifikohen të mbahen këtë të diel. Ndërsa, për atë të Bujanocit katër shqiptarë të tjerë po ashtu.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur që mbështetje politike të ofrojë veç për kandidatët e Partisë për Veprim Demokratik: Ardita Sinanin në garën për Preshevën dhe për Ragmi Mustafin në garën për Bujanocin.
Derisa për ta Kryeministria po organizon edhe takime në Prishtinë, kundërkandidatët e tjerë shqiptarë në Luginë, shprehen të pakënaqur me qasjen e Qeverisë.
Sipas Nagip Arifit, nga Partia Demokratike, që është kandidat për kryetar të Bujanocin, animi i kryeministrit mund të shkaktojë përçarje të shqiptarëve.
“Kryeministri i Kosovës Albin kurti është duke e bërë një gabim, sepse është dashur t’u bëjë ftesë shqiptarëve të Kosovës e të Shqipërisë, të votojnë për kandidatin më të mirë, por kurrsesi të bëjë thirrje për kandidatët e një subjekti, sepse mund të ndikojë në përçarjen e shqiptarëve në komunën e Bujanocit dhe më gjerë”, tha Arifi.
Në të njëjtën linjë të mendimit, është edhe Visar Memeti, kandidat për Preshevën nga Alternativa për Ndryshim.
“Duke e ditur që Lugina është e lidhur shumë emocionalisht me Kosovën, qasja e kryeministrit Kurti, për përkrahje të një subjekti politik, duke e ditur se garojnë 7 subjekte shqiptare, është e dëmshme, duke e ditur që ne kemi nevojë për unifikim, duke i ditur problemet që i kemi këtu”, tha Memeti.
Zgjedhjet lokale në Serbi do të zhvillohen të dielën e 2 qershorit. Sipas regjistrimit të popullsisë më 2022, në këtë shtet jetojnë 61 mijë shqiptarë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë: