Përgatiti: Driton Sadiku
Me pagën e janarit, disa policëve do t’u dalin më shumë para. Pas disa vjetësh zvarritje nëpër gjykata, 5 pjesëtarë të Policisë do ta marrin pagën e 13, për katër vjetët që iu mohua.
Sipas një aktgjykimi të shpallur rishtazi nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Ministria e Punëve të Brendshme, detyrohet që policëve në fjalë, t’ua paguajë 14.430 euro, apo nga 2886 euro për secilin prej tyre.
Marrja e parave që u takojnë përmes procedurave gjyqësore, sipas juristëve konsiderohet shpenzim shtesë, andaj thonë se policia do të duhej t’i përfundonte këto pagesa qysh në fillim.
Për më tepër, kostoja vetëm sa rritet, pasi institucionet vazhdimisht dorëzojnë ankesa në gjykata, për lëndë që në parim dihet se janë të fituara.
Kjo më pas ndikon që lëndët të zvarriten pasi ngarkohet puna e gjyqtarëve.
Sidoqoftë, policët vazhdojnë që pagën që u takonte, ta kërkojnë duke ndjekur procedurat ligjore. Deri më tani llogaritet që rreth 6000 pjesëtar të policisë, kanë deponuar padi ndaj institucionit ku punojnë.