Drita-Prishtina dhe Llapi-Drenica do të jenë përballjet gjysmëfinale të Ku[ës së Kosovës në futboll, sfida këto që premtojnë spektakël në këtë fazë të kësaj gare në futbollin kosovar.
Padyshim që vëmendja kryesore do të jenë në duelin ndërmjet Dritës dhe Prishtinës, dy skuadra që e synojnë me çdo kusht këtë trofe, raporton KosovaPress.
Menjëherë pas shortit, përfaqësuesi i KF Prishtinës Kushtrim Sopa deklaroi se përballja Prishtina-Drita është një finale para finales në Kupën e Kosovës.
“Ndeshja me Dritën është finale para finales, është ndeshja më e rëndësishme e këtij kampionati për ne, do të kemi sistem vajtje-ardhje, fillimisht me 9 prill në Gjilan pastaj më 23 prill në Prishtinë dhe shpresojmë që të kemi sukses. Në këtë nivel të garës, në gjysmëfinale gjithçka është e barabartë edhe rregulli i golit mysafir tani nuk vlen edhe shpresojmë që në fund do t’ia dalim në mënyrë sportive”, theksoi Sopa.
Përgjigjja e përfaqësuesi të Dritës, Jetmir Salihu ishte e menjëhershme. Ai theksoi se skuadra gjilanase e dëshiron me çdo kush plasimin në finalen e Kupës së Kosovës.
“Kundërshtar do ta kemi Prishtinën, një skuadër jashtëzakonisht e fortë dhe pretendente për këtë kupë të Republikës. Normalisht skuadra jonë po kalon një formë të jashtëzakonshme edhe e kemi një numër të konsiderueshëm të futbollistëve por gjithsesi objektivi ynë do të jetë plasmani në finale pastaj ajo ndeshje do të zhvillohet pas kampionatit. E kemi diskutuar para shortit që çdo përballje do ta ketë vështirësinë e saj sepse edhe Drenica ka ardhur në gjysmëfinale me plotë meritë kështu që çdo përballje do të ishte e vështirë për të kaluar në finale”, deklaroi Salihu.
Te Llapi veten e shohin si favorutë për të kaluar në fianle përballë Drenicës. Kështu së paku deklaroi pas shortit përfaqësuesi i kësaj skuadre, Muhamet Batatina.
Batatina: Jemi favoritë te lehtë ndaj Drenicës
“Është një short i mirë, në letër mund të jemi paksa favoritë përballë Drenicës por të gjithë e dimë se Drenica e ka një skuadër mjaftë të mirë duke e ditur se është një ndër pretendentët për të hyrë në Superligë por ne do të hyjmë në lojë duke e respektuar maksimalisht kundërshtarin dhe duke mos e neglizhuar edhe pse është në një ligë më poshtë”, tha Batatina.
Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje më 9 dhe 23 prill, shkruan KosovaPress.