Ylli i muzikës country, Dolly Parton, ka qetësuar fansat me një video të publikuar në rrjetet sociale, ku shkruan: “Nuk kam vdekur ende”, pas shqetësimeve që lindën nga deklaratat e motrës së saj, Freida, për gjendjen e saj shëndetësore.
Muajin e kaluar, Dolly kishte shtyrë një sërë koncertesh në Las Vegas, duke përmendur “sfida shëndetësore”, dhe i kishte shtyrë ato për shtatorin e vitit 2026.
“E di që shumë mendojnë se jam më e sëmurë nga ç’jam në të vërtetë. A dukem e sëmurë?” – tha ajo me humor. “Po punoj fort! Dua t’ju falënderoj për lutjet dhe kujdesin. Kam disa probleme të vogla që i kam lënë pas dore, sidomos pas sëmundjes dhe humbjes së burrit tim, Carl, por tani po i trajtoj.”
Këngëtarja 78-vjeçare shtoi se po ndjek trajtime mjekësore në spitalin Vanderbilt, por theksoi se nuk bëhet fjalë për diçka serioze.
“Duhej të anulonja disa angazhime për të qenë pranë mjekëve, por dua t’ju siguroj se nuk po vdes,” tha ajo duke buzëqeshur.
Dolly reagoi edhe ndaj një fotografie të rreme të krijuar me inteligjencë artificiale, ku aktorja Reba McEntire shfaqej pranë “shtratit të saj të vdekjes”:
“Oh Zot, na kishin bërë të dukeshim sikur ishim gati për t’u varrosur! Po të isha me të vërtetë duke vdekur, Reba do të më kishte vizituar shumë më herët,” u shpreh ajo me të qeshur.
Në përfundim të videos, Parton mbeti besnike ndaj shpirtit të saj optimist:
“Zoti nuk ka përfunduar ende me mua, dhe as unë nuk kam mbaruar me punën time. Ju dua që kujdeseni dhe vazhdoni të luteni për mua.”