Dokumente të sapodalura hedhin dritë mbi lidhje të reja të Jeffrey Epstein me Zvicrën, duke zbuluar se ai ka pasur së paku tre llogari bankare në HSBC Private Bank në Gjenevë, raporton NZZ am Sonntag. Banka ka refuzuar komentin.
Të dhënat sugjerojnë se Epstein ka zhvilluar edhe aktivitete operacionale në Zvicër. Një email i vitit 2016 përmend sigurimin e një “asistenteje nga Zyrihu,” term që dyshohet se përdorej si kod brenda rrjetit të tij të trafikut seksual, sipas albinfo.ch.
Avokatja Gloria Allred deklaroi se Epstein përdorte ndërmjetës për të rekrutuar gra në Europë, ndërsa dokumentet tregojnë kontakte të tij edhe me “Crypto Valley” në Zug dhe komunikime mbi kriptovalutat me ish-këshilltarin e Trump, Steve Bannon.
Epstein ka pasur lidhje edhe me bankën private Edmond de Rothschild në Gjenevë, por institucioni ka theksuar se marrëdhënia ka qenë strikt biznesore.
Nuk dihet ende nëse autoritetet amerikane kanë kërkuar bashkëpunim nga Zvicra, ndërsa Kongresi në SHBA ka miratuar publikimin e plotë të dokumenteve të Epstein. Rasti mbetet ende në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.








