Presidenti i entitetit të dominuar nga serbët në Bosnje dhe Hercegovinë, Republika Srpska, Mirolad Dodik, ka intensifikuar mosmarrëveshjen e tij me komunitetin ndërkombëtar, duke paraqitur atë që ai e quajti një “ankesë penale” kundër përfaqësuesit të lartë të emëruar ndërkombëtarisht në Bosnje.
Dodik tha të shtunën se ka bërë kallëzim penal kundër Përfaqësuesit të Lartë Christian Schmidt në Prokurorinë Publike të Qarkut në Banja Luka, sepse ai ka kohë që merret me punët e përfaqësuesit të lartë pa autorizim, për të cilin nuk ka asnjë vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ai pretendoi se “me qëllimin për të shkaktuar dëme në Republikën Srpska, Schmidt paraqitet në mënyrë të rreme si një zyrtar duke e ditur se ai nuk ishte emëruar në përputhje me Aneksin 10 të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit.”
Sipas marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995, Schmidt ka fuqinë të imponojë ligje si interpretuesi përfundimtar i kushtetutës së shtetit, megjithëse vendimet e tij mund të shqyrtohen dhe vihen në dyshim nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës, nëse miraton Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.
Marrëveshja, e cila i dha fund Luftës së Bosnjës 1992-95, vendosi një sistem administrativ, sipas të cilit shteti boshnjak mbetet i ndarë midis Republika Srpska, dhe Federatës Muslimane Boshnjako-Kroate, të lidhur nga një qeveri e dobët qendrore.
Lëvizjet e Dodik, i cili ka udhëhequr një fushatë gjithnjë e më nxitëse për vite me radhë, erdhën një javë pasi Schmidt anuloi disa vendime të diskutueshme që kundërshtojnë një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës civile në vend.
Schmidt më 1 korrik u tha gazetarëve në Sarajevë se “vendimet e fundit të marra nga Asambleja e Republikës Srpska përfaqësojnë një shkelje të drejtpërdrejtë të rendit kushtetues të Bosnje dhe Hercegovinës dhe gjithashtu të marrëveshjes së paqes të Dejtonit.”
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dje akuzoi Dodikun për shkelje të kushtetutës së Bosnjës dhe minim të marrëveshjes së Dejtonit.
Një javë më parë, Ambasada Britanike tha gjithashtu se mbështet veprimet e Schmidt dhe shprehu mbështetjen e përbashkët të shteteve të Kuintit: Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: