Në ditën e pestë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Republikën e Kosovës, kryetari i partisë “Za Slobodu Pravdu i Opstanak”, Nenad Rashiq, ka vazhduar aktivitetet elektorale në komunat me shumicë serbe, duke e vënë theksin në punësim dhe përfshirjen e të rinjve në tregun e punës.
Gjatë qëndrimit në Graçanicë, Rashiq bëri të ditur se janë nënshkruar 78 kontrata të reja me praktikantë, të cilët do të përfshihen në programe të trajnimit profesional. Sipas tij, ky projekt paraqet vetëm fillimin e një programi më të gjerë që do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm.
“Ne po vazhdojmë projektin tonë për mbështetjen e të rinjve përmes praktikave profesionale. Sot në Graçanicë nënshkruam 78 kontrata të reja me praktikantë, ndërsa ky është vetëm fillimi. Nga mesi i janarit do të shpallim konkurs për praktikantë që do të jenë pjesë e një programi gjithëvjetor, me qëllim t’u ofrojmë qytetarëve tanë siguri dhe perspektivë për të ardhmen.”
Rashiq tha se investimi në dije dhe aftësi profesionale është kyç për të ardhmen e qytetarëve, duke shtuar se jo të gjithë mund të punësohen në sektorin shëndetësor dhe se është e domosdoshme të krijohen alternativa të qëndrueshme për të rinjtë.
Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin programin e partisë së tij, duke kërkuar votën me numrin 134, për një të ardhme më të sigurt dhe më stabile.
Aktivitetet e fushatës vazhduan edhe në Shtërpcë, ku u nënshkruan edhe 27 kontrata të tjera me praktikantë të rinj, të cilët për herë të parë po hyjnë në procesin e trajnimit profesional.
Partia “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” ka bërë të ditur se fokusi i saj gjatë fushatës do të mbetet punësimi, arsimi profesional dhe siguria ekonomike për qytetarët.






