Në ditën e katërt të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vënë në qendër të diskursit politik çështjen e energjisë elektrike. Kandidati për kryeministër nga radhët e AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke ngritur shqetësimin për faturat e larta të energjisë dhe duke krahasuar situatën aktuale me periudhën e qeverisjes së tij.
“Sa po ju vinë faturat e energjisë elektrike?”, ka shkruar Haradinaj, duke theksuar se gjatë Qeverisë Haradinaj II, energjia elektrike ishte trajtuar si çështje e sigurisë kombëtare dhe jo si instrument politik apo problem ditor.
Sipas tij, në atë periudhë çmimet për qytetarët ishin më të përballueshme për shkak të prodhimit vendor, i cili mbulonte pjesën më të madhe të konsumit përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, ndërsa importi i energjisë ishte dukshëm më i ulët krahasuar me vitet pasuese. Haradinaj ka theksuar gjithashtu se KEK-u ishte trajtuar si aset strategjik shtetëror dhe se ishte ndalur degradimi institucional i sektorit energjetik.
Në postimin e tij, kandidati për kryeministër ka premtuar mbështetje për projekte të energjisë së ripërtëritshme, përfshirë energjinë diellore dhe atë të erës, si dhe hapjen e rrugës për kapacitete të reja prodhuese.
“Qeveria Haradinaj II e dëshmoi se energjia nuk negociohet”, ka përfunduar ai.
Gjatë së njëjtës ditë, Haradinaj ka publikuar edhe një mesazh tjetër me titullin “129 Krah Teje”, ku u është drejtuar qytetarëve dhe strukturave të AAK-së, duke i ftuar për riaktivizim dhe mbështetje në këto zgjedhje. Ai ka theksuar se Aleanca mbetet “shtëpia” e të gjithë atyre që kanë kontribuar ndër vite në ndërtimin dhe qëndrueshmërinë e saj, duke nënvizuar se rikthimi i tyre është garanci për të qenë “krah Kosovës”.






