Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për Kryeministër, Bedri Hamza, zhvilloi ditën e gjashtë të fushatës së tij elektorale me tubime në Rahovec dhe Gjakovë.
Në Rahovec, Hamza u takua me qytetarë dhe fermerë, të cilët i quajti “heronj të punës së ndershme që ruajnë traditën dhe kontribuojnë për forcimin e shtetit”. Ai shtoi: “Bashkë. Përpara. Për Rahovecin. Për Kosovën. Për të ardhmen e përbashkët!”
Në një video të shpërndarë mëngjesin e sotëm, Hamza u shpreh se qytetarët e Kosovës përballen me një zgjedhje të qartë: të vazhdojnë rrugën e pasigurisë dhe kaosit ose të zgjedhin stabilitet, zhvillim dhe shpresë. “Unë zgjedh të ecim përpara për familjet tona, për fëmijët tanë, për Kosovën. Bashkë përpara,” tha ai.
Kandidati i PDK-së vizitoi gjithashtu Institutin Kombëtar të Teknologjisë dhe Inovacionit (ICK), ku u njoh me projektet më të fundit në fushat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe printimit 3D. Ai deklaroi: “Si kryeministër, do të punoj që Kosova të bëhet një shtet i dijes, me ekonomi digjitale të zhvilluar dhe mbështetje të vazhdueshme për inovatorët tanë.”
Hamza zhvilloi edhe një takim me pensionistët, duke premtuar mbështetje konkrete për këtë kategori: rritje 50% të pensioneve, barna falas dhe qendra kujdesi për të moshuarit.






