Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka vazhduar sot aktivitetet e saj në kuadër të ditës së dhjetë të fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, me tubime dhe takime në Pejë, Junik dhe Gjakovë. Kryetari i AAK-së dhe kandidati për Kryeministër të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një agjendë të ngjeshur, duke u takuar me qytetarë, veteranë dhe përfaqësues të institucioneve fetare e lokale.
Në Pejë, Haradinaj u takua me veteranë të shumtë të luftës, disa prej tyre bashkëluftëtarë të tij.
“Sot ishim në vizitë në Pejë ku u takuam me veteranë të shumtë, disa prej tyre bashkëluftetarë të mi. Këta janë njerëz të mëdhenj që nuk flasin shumë për veten, por veprat e tyre flasin për Kosovën. Ky takim na bëri me dije që ne duhet të jemi krah atyre që dhanë gjithçka që ky vend të ekzistojë,” ka shkruar Haradinaj, duke i falënderuar përjetësisht për kontributin e tyre.
Fushata vazhdoi në Junik, ku Haradinaj u prit nga qytetarë të shumtë. Ai vlerësoi historinë, qëndresën dhe krenarinë e këtij qyteti, duke theksuar se Aleanca qëndron krah Junikut dhe qytetarëve të tij. Në tubim u diskutua për problemet e përditshme të qytetarëve, sfidat ekonomike, nevojën për siguri, zhvillim ekonomik dhe dinjitet për punëtorët, bujqit, mësuesit, mjekët dhe veteranët.
“U fol për të rinjtë që kërkojnë perspektivë në vendin e tyre dhe për nevojën urgjente që shteti të jetë krah qytetarit,” ka theksuar Haradinaj, duke falënderuar Junikun për mikpritjen dhe mbështetjen.
Në Gjakovë, kryetari i AAK-së, së bashku me kryetarin e komunës Ardian Gjini, vizitoi Shejh Ruzhdi Shehun në Teqen e Shejh Eminit. Haradinaj e cilësoi këtë vend si një hapësirë me peshë të veçantë historike dhe shpirtërore, ku reflektimi dhe kujtesa kolektive marrin kuptim të veçantë.
Ai tha se biseda me Shejh Ruzhdi Shehun ishte e mbushur me urtësi dhe mesazhe të fuqishme për unitet, paqe dhe përgjegjësi ndaj vendit.






