Kandidati për kryetar të Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Uran Ismajli, gjatë vizitës në familjen Havolli në lagjen “Kodra e Trimave” premtoi rikthimin e investimeve dhe shërbimeve bazike, të cilat sipas tij janë lënë në harresë nga institucionet komunale.
Në Deçan, kandidati i PDK-së Jetmir Prekalla prezantoi platformën e tij zgjedhore që përfshin krijimin e zonës industriale, përmirësimin e sistemit arsimor dhe shëndetësor, si dhe ndërtimin e infrastrukturës që lidh çdo fshat me qytetin.
Rrahim Tërnava, kandidat në Fushë Kosovë, premtoi rregullimin e ngrohtores së qytetit me kogjenerim, mbështetjen për bizneset lokale dhe përkrahjen për të rinjtë dhe gratë në punësim dhe ndërmarrësi.
Në Mitrovicë, Arian Tahiri paraqiti projektin për zhvillimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit urban dhe rural.
Edon Cana, kandidat për Rahovecin, u zotua për kthimin e lokaliteteve si Pataqani në destinacione atraktive për banorë dhe vizitorë.
Kryetari aktual i Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili kandidon për një mandat të dytë, prezantoi projektet infrastrukturore të përfunduara në Lubizhdë të Qytetit dhe zonën e Parkut të Bizneseve, duke përfshirë rrugët, ujësjellësin dhe rezervuarët e ujit.
Ai gjithashtu premtoi ndërtimin e objekteve të reja dhe modernizimin e shërbimeve mjekësore në mandatin e ardhshëm.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Skenderaj, Sami Lushtaku gjatë takimit me rininë theksoi se idetë dhe vizioni i tyre janë garancia më e fortë për një Skenderaj më të zhvilluar.
Ndërkaq, në Vushtrri, Ferit Idrizi, kandidat për mandatin e dytë në Vushtrri, e nisi ditën e 22 të fushatës me arkitektët e rinj të komunës, aty ai tha se energjia dhe kreativiteti i tyre janë garanci për të ardhmen e qytetit.