Kuvendi i Kosovës është konstituuar sot, pas zgjedhjes së Dimal Bashës si kryetar të tij. Në seancën plenare, Basha mori 73 vota pro, 30 kundër dhe 3 abstenime, duke siguruar shumicën e nevojshme prej 61 votash.
Ai u propozua për herë të dytë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi në tentativën e kaluar nuk arriti të merrte më shumë se 57 vota. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë edhe partitë e ish-opozitës votuan në favor, duke i hapur rrugë përfundimit të procesit të konstituimit.
Me këtë vendim, Kuvendi i Kosovës ka përmbyllur krizën disa mujore të bllokimit institucional dhe ka zgjedhur kryetarin e ri, ndërsa pritet që së shpejti të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarëve dhe formimin e komisioneve parlamentare.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër.
PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t’i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.
Basha, tashmë nga posti i kryeparlamentarit, shpalli një pauzë njëorëshe, pas së cilës pritet të zgjidhen nënkryetarët e Kuvendit. Me zgjedhjen e tyre, Kuvendi konsiderohet i konstituuar dhe i hapet rruga formimit të qeverisë.
Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit e votuan kryetarin e Kuvendit në përpjekjen e 58-të të tyre.
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.
“Derisa ndiej nderin dhe mirënjohjen për votën tuaj, ndiej edhe përgjegjësinë e madhe që më është besuar. Kuvendi është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve”, tha Basha.
Ai theksoi se Kosova “është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti jonë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta: mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vetë jeta e tyre”.
“Një përulje dhe falënderim nga zemra u takon grave, vajza, pra nënave dhe motrave tona, të cilat brez pas brezi sakrifikuan, rritën, punuan në heshtje dhe ofruan dashuri dhe përkushtim. Ato ishin dhe mbesin themeli i një shoqërie të shëndoshë që ne e gëzojmë”, nënvizoi Basha.
Ai shtoi se mbrojtja e Kosovës duhet të jetë detyrë e të gjithëve, pushtetit dhe opozitës, pavarësisht se ai pret dallime të mëdha mes partive, sepse “jetojmë në një demokraci”.
“Ju bëj thirrje për bashkëpunim. Është koha të dëshmojmë se pavarësisht dallimeve politike, ne e kemi guximin dhe mençurinë për të punuar së bashku për interesin më të lartë për vendin tonë”, theksoi ai.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Serbisë ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Basha u zgjodh pas disa dështimesh pas publikimit të plotë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.
Në tri seancat e kaluara, partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje – të cilës i takon të propozojë kandidat për kryeparlamentar – i kishte hedhur pesë kandidatë në votim, por asnjëri prej tyre nuk i kishte marrë të paktën 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.
Asnjëri prej Albulena Haxhiut, Hekuran Muratit, Arbërie Nagavcit, Donika Gërvallës, Dimal Bashës, nuk ia kanë dalë t’i marrin më shumë se 57 vota.






