E moshuara e cila u helmua me valium nga dhëndri i saj Ismail Kllogjri në Librazhd, ka folur për News24. Bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur më datë 22 nëntor në Librazhd, ku dhëndri u dha prindërve të nuses se tij doza të mëdha valiumi për t’i vënë në gjumë të thellë, në mënyrë që ai të mundej t’u vidhte paratë e pensionit të çiftit të moshuar.
E moshuara thotë se ditën e ngjarjes ajo ishte duke qëndruar në shtëpi më bashkëshortin e saj, kur në banesë i vizitoi dhëndri.
Ajo tha se dhëndri u fut në shtëpi dhe i pyeti se si janë. Këto janë momentet e fundit që ajo mban mend, pasi më pas ka rënë pa ndjenja si pasojë e dozës së valiumit që i kishte dhënë dhëndri.
“Unë isha duke ndenjur dhe ai erdhi dhëndri dhe pyeti ‘ si je mirë’ kaq gjë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë. Erdhi çuni prej Greqie me gjithë nuse dhe na gjetën pa ndjenja”, tha e moshuara.
Kujtojmë se hetimet e policisë lidhur me ngjarjen nisën pasi çifti i bashkëshortëve ishin dërguar fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rënduar shëndetësore, të dyshuar për intoksikim.
Nga hetimet rezultoi se dhëndri i tyre, 36-vjeçari Ismail Kllogjri, dyshohet se u ka dhënë një dozë të lartë medikamenti qetësues duke u shkaktuar dëmtime të rënda shëndetësore, dhe më pas ka vjedhur një shumë parash në banesën e tyre.







