Përgatiti: Armand Hoti
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, premtoi se do të bëhet brenda vitit, por çiftet ende nuk mund të realizojnë fekondimin artificial në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës.
Tenderi me vlerë prej 1.5 milion eurove, për sigurimin e pajisjeve që mundësojnë këtë shërbim, dështoi për të dytën herë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, shkak për këtë është mungesa e ofertimit për disa pajisje.
“Gjatë procesit tenderues janë pranuar shumë pyetje sqaruese dhe janë bërë korrigjimet e kërkuara, me qëllim të lehtësimit dhe mundësisë më të gjerë për ofertim. Por, meqenëse nuk kishte oferta të përgjegjshme, pritet që gjatë ritenderimit, të arrijmë t’i kontraktojmë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Ndërkohë, në seancën plenare të ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, si rend dite ishte edhe votimi në parim i Projektligjit për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor. Mirëpo, kjo pikë dështoi të trajtohet, duke u shtyrë për një datë tjetër.
Në kuadër të këtij projektligji parashihet që edhe gratë e pamartuara mbi moshën 18-vjeçare, që janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe sociale dhe të afta për fertilizim dhe për përkujdesje prindërore, të marrin shërbimin e IVF.
Më parë, për shkak të kundërshtimit të disa deputetëve, ky projektligj nuk kaloi në Kuvend.
Shërbimi në fjalë në Kosovë ofrohet vetëm në klinikat private.
Ndërkaq, klinika në kuadër të QKUK-së, ku IVF pritet të ofrohet, sa i përket aspektit infrastrukturor është e gatshme, vetëm se mungojnë pajisjet.
Muaj më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh se në Kosovë çiftet kanë shpenzuar rreth pesë milionë euro për fekondim artificial në klinikat private.