Përgatiti: Nora Luta
Janë përpjekjet e të pranishmëve në sallën e gjykimit për të kuptuar nëse Shukri Buja, njëri prej të akuzuarve në rastin e Veteranëve, do të jetë prezent në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Kryetari i trupit gjykues ofron kohë, por edhe pas më shumë se 20 minutave, Buja, ndryshe nga të akuzuarit Ahmet Daku e Nuredin Lushtaku, nuk paraqitet në sallë, për çka Gjykata detyrohet të marrë një vendim.
Në mungesë të Bujës, siç edhe e përcakton Kodi i Procedurës Penale, seanca ku pritej të fillojë rigjykimi në këtë rast ku po akuzohen për keqpërdorim me listat e veteranëve, Agim Çeku, Rrustem Berisha, Xhavit Jashari e të tjerë, dështoi.
Megjithatë, mbrojtja u ankua se nuk është pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, por kjo u kundërshtua nga Prokuroria Speciale.
E vetë Faik Fazliut nuk i kujtohet ku i ka shkresat, të cilat Prokuroria ia ka dorëzuar qysh në vitin 2019. Deklaratat kundërthënëse të tij, e shtynë trupin gjykues për tjetër paralajmërim.
Në vitin 2021, Gjykata i kishte liruar nga akuzat për keqpërdorim me listat e veteranëve Çekun e të tjerët, por nga marsi i vitit të kaluar kur rasti u kthye në rigjykim, nuk ka arritur të mbahet asnjë seancë.
Apeli kishte gjetur më shumë se dhjetë vërejtje në aktgjykimin e Themelores, përfshirë se nuk ishin administruar si prova dëshmitë e të akuzuarve në prokurori, dhe ka kërkuar që të administrohen aplikacionet e 19 mijë e 500 personave që pretendohet se përfituan rrejshëm statusin e veteranit.
Sipas aktakuzës, fryrja e listës së veteranëve i ka shkaktuar dëm buxhetit të shtetit mbi 88 mijë euro.