Përgatiti: Krenare Mulliqi
Për të kuptuar për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Bruksel ishte paraparë të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur.
Por takimi nuk u mbajt sipas Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi Serbia nuk mori pjesë në të.
Megjithatë Lajçak konfirmoi se palët i takoi ndaras dhe pala kosovare i paraqiti para tij prioritetet.
“Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka thënë Lajçak.
Arsyeja e largimit nga bisedimet, sipas kryenegociatorit serb Petar Petkoviq, ishte aksioni i Policisë së Kosovës me ç’rast u mbyllën strukturat paralele në dhjetë komuna.
Por sipas Kryetarit të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit Andin Hoti, prania e Petkoviqit në takimin në të cilin as nuk ishte i ftuar ishte e qëllimshme për të dështuar bisedimet.
Ndërkaq nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerësojnë se arsyetimi i palës serbe është vetëm për t’iu shmangur bisedimeve.
Në takimin e fundit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në dhjetor palët janë dakorduar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit derisa u miratua edhe formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas marrëveshjes, komisioni, në 6 muaj e parë, duhet të mbajë çdo muaj takime.