spot_imgspot_img
spot_img

Dështon edhe tentimi i 54-të, Kosova futet në terren të paprekur kushtetues

Përkundër pritjeve për një zgjidhje të krizës institucionale, tentimi i 54-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar. Në seancën e mbajtur sonte në orën 22:00 – vetëm dy orë para skadimit të afatit kushtetues 30-ditor – Kuvendi nuk arriti të formojë komisionin për votim të fshehtë, për shkak se partitë ish-opozitare sërish nuk propozuan anëtarë, e as që morën pjesë në votim.

Kësisoj, Kosova hyn në një terren të paprekur kushtetues, pasi për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, legjislatura e re nuk arrin të konstituohet brenda afatit të përcaktuar me vendim nga Gjykata Kushtetuese.

Ngërçi kishte nisur më 15 prill, kur për herë të parë u mblodh Kuvendi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Në atë seancë dështoi votimi i verifikimit të mandateve të deputetëve, për shkak të bojkotit të opozitës që kërkonte dorëheqjen e qeverisë. Më 19 prill, u miratua raporti i verifikimit të mandateve dhe u bë betimi i deputetëve.

Në përpjekjen e parë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk siguroi votat e nevojshme. Më pas, seancat u zhvilluan çdo 48 orë, por pa sukses, pasi opozita refuzonte të propozojë anëtarë për komisionin për votim të fshehtë.

Për shkak të bllokadës së vazhdueshme, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh. Kjo periudhë përfundon sonte më 26 korrik, por edhe në tentimin final, Kuvendi dështoi për të 54-ën herë.

Presidentja Vjosa Osmani, ditë më parë, kërkoi nga Kushtetuesja interpretim për pasojat ligjore në rast të moskonstituimit. Ajo kërkoi gjithashtu masë të përkohshme për pezullimin e afatit 30-ditor, të cilën Gjykata e miratoi. Sipas vendimit, nga 27 korriku deri më 8 gusht, ndalohet çdo aktivitet parlamentar, derisa të merret vendimi i radhës nga Kushtetuesja.

Kujtojmë se zgjedhjet parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, ndërsa rezultatet përfundimtare u certifikuan më 27 mars nga KQZ, me 9 vota për dhe 2 kundër. LVV doli fituese me 42.30%, e pasuar nga PDK me 20.95%, LDK me 18.27%, AAK–Nisma me 7.06% dhe Lista Serbe me 4.26%.

Qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka deklaruar se do të ushtrojë përgjegjësitë si ekzekutiv kujdestar, derisa të formohen institucionet e reja. Me Kuvendin të pakonstituuar dhe me një periudhë të pezulluar, fati i procesit politik mbetet në duart e Gjykatës Kushtetuese. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA