Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme

Deputetë të LDK-së dhe të PDK-së janë duke shpërndarë një skenar, që sipas tyre është dashur të ndiqej sot në vazhdimin e seancës konstituive, që sërish u ndërpre, raporton ATV.

Në këtë dokument, të publikuar nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Artan Behrami, parashihej që seanca të vazhdonte me rivotimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve, i cili më 15 prill nuk mori votat e nevojshme për të kaluar.

“Deputetët luten që me ngritje dore të deklarohen edhe një herë për Raportin e Komisionit të përkohshëm,” thuhet në skenarin e publikuar.

Pikërisht mungesa e këtij votimi në seancën e fundit, sipas deputetëve opozitarë, dëshmon synimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

“Kjo dëshmon përfundimisht se VV nuk ka dashur të ecet përpara. Skenari ishte i qartë dhe kishte të gjitha elementet për të vazhduar aty ku kishte mbetur seanca më 15 prill,” ka shkruar Bajrami.

Ndërkohë, Behrami e quajti zhvillimin e sotëm “një seancë e udhëhequr nga VV për zvarritje e pazare politike”, duke thënë se VV-ja e refuzoi qëllimisht votimin, ndonëse ishin të pranishëm 100 deputetë – numër i mjaftueshëm për të pasur kuorum.

Deputetët e LDK-së dhe PDK-së e cilësojnë si të paligjshme thirrjen për konsultime nga kryesuesi Avni Dehari, dhe kërkojnë që në seancën e radhës të respektohet skenari zyrtar dhe të votohet raporti i komisionit, si hap i parë drejt konstituimit të Kuvendit. /atvlive.tv

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA