Dëm të madh ndaj institucioneve demokratike, e ka cilësuar presidentja Vjosa Osmani, përdorimin e dhunës fizike në parlamentin e Kosovës.
Sipas presidentes, dhuna nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
“Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve, ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik.
Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, tha Osmani.
Grushtet në Kuvend i ka dënuar edhe ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, duke shtuar se në çdo demokraci ka dallime të forta, por ato duhet të zgjidhen përmes diskursit e jo dhunës.
“Është për të ardhur keq ajo çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës. Do të dëshiroja të mos e thosha këtë: dhuna kurrë nuk është mjet i pranueshëm për të shprehur pakënaqësi. Në çdo demokraci shpesh ka dallime të forta. Por, dallimet duhen të zgjidhen përmes diskursit – një qëllim themelor i legjislaturës së çdo demokracie”, tha Hovenier.
Me tone kritikuese ndaj opozitës, për ngjarjet në Kuvend reagoi edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Imagjinojini si ndihen aleatët dhe miqtë e pazëvendësueshëm të Kosovës e të shqiptarëve, kur shohin se si kapen për fyti shqiptarët, aty ku duhet të luftohet me ide e me fjalë, jo me sharje e me grushte! Uroj shumë që opozita të distancohet nga kjo sjellje e turpshme dhe t’i shërbejë Kosovës me forcën e shembullit, jo me shembullin e forcës!”, tha Rama.
Derisa dhuna u dënua edhe nga shoqëria civile, partia opozitare, Lidhja Demokratike, është distancuar nga përleshjet në Kuvend. /atvlive.tv
Edicionin Qendror të lajmeve në ATV e gjeni në videon më poshtë: