Anëtari i AAK-së, Arton Demhasaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova po humb kohë të çmuar në krijimin e institucioneve, dhe kjo, sipas tij, është në dëm të vendit dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Ai tha se Kuvendi është dashur të konstituohej shumë më herët, ndërsa shtyrja e seancës për shkak të mungesës së shumicës është e papranueshme.
“Me 15 prill seanca duhet me u konstituu, sepse nuk ka asnjë arsye për mos me qenë e konstitu. Sa më shumë që humbim kohë, qysh humbëm me rezultatin zgjedhor, tash me konstituimin e Kuvendit dhe me krijimin e Qeverisë, Kosova veç humb kohë. Nëse ka tendenca politike për me e shty seancën për shkak të mungesës së numrave për të kriju shumicën, kjo shkon pa fije dyshimi në dëm të Kosovës”, deklaroi Demhasaj.
Sipas tij, Kuvendi nuk duhet të lidhet me formimin e Qeverisë, dhe proceset nuk guxojnë të ngatërrohen për interesa politike.
“Në asnjë rrethanë nuk duhet me u lidhë konstituimi i Kuvendit me zgjedhjen e Qeverisë. Në rast se partia e parë s’i ka numrat për me bo Qeverinë, nuk duhet me u prolongu seanca për me ble kohë. Partia e parë ka pasë kohë me negociu qysh prej dhjetë shkurtit”, shtoi Demhasaj.
Deklaratën e plotë të Arton Demhasajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: