Qeveria daneze ka arritur një marrëveshje për vendosjen e një kufiri minimal moshe prej 15 vjeç për përdorimin e platformave të caktuara të mediave sociale. Vendimi u njoftua të premten, pas thirrjes së kryeministres Mette Frederiksen për kufizime në përdorimin e mediave sociale nga fëmijët, për shkak të shqetësimeve mbi shëndetin mendor të të rinjve. Shumica e partive parlamentare kanë shprehur mbështetje për planin.
“Si një nga vendet e para në BE, Danimarka po ndërmerr një hap të rëndësishëm drejt futjes së kufizimeve të moshës në mediat sociale,” tha Ministria e Dixhitalizimit në një deklaratë, duke theksuar se masa synon mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve në botën dixhitale.
Sipas saj, fëmijët nën 15 vjeç nuk duhet të kenë qasje në platforma që mund t’i ekspozojnë ndaj përmbajtjes së dëmshme, shkruan DW.
Megjithatë, prindërit do të kenë mundësinë të japin pëlqimin për aksesin e fëmijëve të tyre që janë mbi 13 vjeç, duke krijuar një përjashtim të kufizuar. Ministria nuk ka specifikuar ende cilat platforma do të përfshihen dhe si do të zbatohet ndalimi.
Marrëveshja përfshin gjithashtu ndarjen e 160 milionë koronave daneze (21.4 milionë euro) për 14 nisma që synojnë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet, mbikëqyrjen e Aktit të Shërbimeve Dixhitale të BE-së, zhvillimin e platformave alternative dhe luftën kundër marketingut të paligjshëm nga ndikuesit.
“Fëmijët nuk duhet të lihen vetëm në një botë dixhitale ku përmbajtja e dëmshme dhe interesat komerciale ndikojnë në jetën e tyre të përditshme,” thuhet në deklaratë. Ministrja e Dixhitalizimit Caroline Stage e cilësoi masën si një hap të domosdoshëm: “Danimarka po udhëheq në Evropë me një kufi kombëtar moshe për mediat sociale dhe një përpjekje të përbashkët për të forcuar mirëqenien dixhitale të fëmijëve.”







