Sot, Gjykata Themelore e Pejës ka mbajtur seancë për rastin e ndodhur më 12 korrik të vitit të kaluar në këtë qytet.
Dyshohet se vëllezërit Besnik dhe Adem Bulliqi kishin shkuar në shtëpinë e motrës së tyre dhe janë përleshur fizikisht me dhëndrin.
Në aktakuzë thuhet se këtë veprim vëllezërit e bënë për çështje pronësore.
Me anë të një thike të mprehtë 9 mm dhe grushteve, ata thuhet se i shkaktuan dhëndrit të tyre lëndime të rënda, përfshirë thyerje të kockave të fytyrës, lëndime nga thika dhe mavijosje në fytyrë.
Pasi ishte alivanosur, dhëndri kishte përfunduar në një pishinë të gomës.
Gjithë kjo ngjarje e rëndë ishte parë nga vajza e të dëmtuarit, e cila më pas ka dërguar fotografi të bluzës që ai mbante veshur në ditën kritike, e tëra e mbuluar me gjak.
Kjo seancë është vendosur të shtyhet, pasi pala mbrojtëse e të akuzuarve deklaroi se nuk ka përgatitur fjalën përfundimtare në formë shkrese, gjë që do ta bëjnë më 18 dhjetor në seancën e radhës.







