Çitaku nga Prekazi: Lufta për liri nuk është krim, Kosova e pavarur është kryevepra e Adem Jasharit

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me kryesinë e partisë, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në nderim të dëshmorëve, në Ditën e Flamurit, raporton Ekonomia Online.
Pas homazheve, Çitaku para mediave ka uruar 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët, duke thënë se kjo datë përfaqëson një festë të shumëfishtë për kombin shqiptar.
Reklamë
Ajo ka theksuar se Prekazi, Adem Jashari dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës janë themelet e lirisë së Kosovës, ndërsa shtetin e pavarur e ka cilësuar si kryeveprën e komandantit legjendar.
“Nga Prekazi legjendar u uroj 28 nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që janë. 28 nëntori është festë e shumëfishtë. Është dita e flamurit, dita e Shqipërisë, e pavarësisë së Shqipërisë, dalja e parë publike e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindja e komandantit legjendar. Sa herë që kemi nevojë për energji, për frymëzim, rrugët na sjellin në Prekaz. Prekazi, Adem Jashari, UÇK-ja janë themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e komandantit legjendar Adem Jashari. Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale. Edhe sot u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të rrinë të bashkuar, edhe më të bashkuar se sa që janë, në mbrojtje të vlerave më sublime që i kemi krijuar si komb. Edhe njëherë, urime 28 nëntori!”, tha ajo.
Reklamë







