ChatGPT po shton veçori për blerje në funksionet e tij, duke zgjeruar ndikimin e inteligjencës artificiale (AI) në një fushë që tradicionalisht ka qenë e dominuar nga faqet e mediave dhe rivalë teknologjikë si Amazon dhe Google.
Sipas BBC, u tha se përditësimi do t’u mundësojë përdoruesve të shohin çmimet dhe vlerësimet më lehtë, si dhe të gjejnë lidhje direkte për të blerë produkte të personalizuara që rekomandohen.
Kompania mëmë, OpenAI, tha se përzgjedhjet do të jenë “të pavarura dhe jo reklama”. Kompania, e cila shkaktoi një valë të madhe interesi për AI në vitin 2022 me përparimet e saj teknologjike, e prezantoi mjetin e kërkimit vitin e kaluar. Ajo tha se ishte një nga veçoritë më të njohura dhe me rritjen më të shpejtë, me mbi një miliard kërkime në internet vetëm javën e kaluar, përcjell KosovaPress.
Google mbetet ende lojtari dominues në fushën e kërkimit, duke zënë rreth 89% të trafikut global, sipas vlerësimeve të analistëve. Megjithatë, pjesa e tij në treg ka nisur të bjerë ngadalë muajt e fundit.
Shtimi i veçorisë së blerjeve në kërkim e vendos OpenAI-n në një konkurrencë edhe më të drejtpërdrejtë me Google, si edhe me faqe të tjera që ofrojnë komente për produkte, si New York Times dhe botues të tjerë.
Amazon prezantoi asistentin e vet për blerje me AI gjeneruese vitin e kaluar, ndërsa kompania rivale e AI-së, Perplexity, gjithashtu ka një mjet për blerje.
OpenAI tha se qëllimi i përditësimit ishte që ta bënte më të “shpejtë gjetjen, krahasimin dhe blerjen e produkteve”. Sipas saj, kjo veçori do të jetë në dispozicion për të gjithë përdoruesit, por do të duhen disa ditë që shpërndarja të përfundojë plotësisht.
Ky ndryshim ishte një nga disa të tilla të shpallura të hënën si pjesë e një përditësimi më të gjerë të produktit të saj të kërkimit.
OpenAI prezantoi gjithashtu një veçori që u lejon përdoruesve t’i dërgojnë mesazhe ChatGPT-së për rezultate të drejtpërdrejta sportive dhe që do të ofrojë citime të shumta në përgjigjet e saj.