Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se për Lojërat Mesdhetare 2030 është vendosur që sportistët të akomodohen në konviktet ekzistuese në Prishtinë, të cilat do të modernizohen për këtë qëllim.
Ai deklaroi se vendimi është marrë në dakordim me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare, që ka rekomanduar shmangien e ndërtimit të objekteve të reja të mëdha.
“Nuk është qëndrim, është dakordim me ISMGJ-në, sepse kur e kanë vizitu ata Kosovën në fazën e aplikimit edhe i kanë pa konviktet, e kanë pa menzën, sallën një tetor dhe sallat e edukatës fizike të shkollave në një perimetër të caktuar të asaj zone, kanë thënë që kjo i plotëson kushtet, por duhet të rritet kapaciteti. Pra duhet të shtohet numri i dhomave, i shtretërve, për t’i akomoduar rreth pesë mijë sportistë dhe të tjerë që marrin pjesë në 2030,” tha Çeku.
Ai tha se shumë shpejt do të fillojë partneriteti me Agjencinë Zhvillimore Franceze për realizimin e investimit në modernizimin e konvikteve dhe infrastrukturës përcjellëse.
“Shumë shpejt fillon faza e partneritetit me Agjencinë Zhvillimore Franceze, fillimisht hartohet projekti, sepse aty nuk ka vetëm modernizim të kullave ekzistuese në konvikte, ka edhe infrastrukturë përcjellëse për ushtrime, përgatitje të atyre sportistëve që qëndrojnë aty dhe investim në rreth njëmbëdhjetë salla të edukatës fizike të shkollave në zonën afër,” u shpreh Çeku.
Deklaratën e plotë të Hajrulla Çekut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: