Begaj takohet me Escobarin, flasin edhe për Kosovën

Gjatë vizitës në Nju Jork, ku kryeson delegacionin zyrtar të Shqipërisë në Sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, u takua edhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar.
Presidenti i Republikës shprehu vendosmërinë e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet e partneritetit strategjik me SHBA dhe për të eksploruar të gjitha mundësitë që ofron partneriteti strategjik dhe lidhjet e forta midis dy vendeve.
Reklamë
Situata në rajon dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor, si edhe proceset integruese të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të rëndësishëm në bashkëbisedimin e presidentit Begaj me zyrtarin e lartë amerikan, njoftoi Presidenca shqiptare.
Begaj thuhet se i ka përcjellë falënderimet për dedikimin e presidentit Biden dhe administratës së SHBA për angazhimin e tyre të vazhdueshëm në rajon, duke vlerësuar si thelbësor, rolin e SHBA-ve për rajonin tonë.
Në takim u vu theksi tek domosdoshmëria e uljes së tensioneve në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe nisjes së zbatimit të Marrëveshjes së dakordësuar me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-ve.
Presidenti Begaj theksoi se Shqipëria do të vijojë të jetë një partner i ngushtë i SHBA-ve për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Reklamë








