Kandidati për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot aktivitete elektorale në komunën e Suharekës, Shtimes dhe Lipjanit, duke takuar qytetarë dhe duke prezantuar planet e tij për zhvillimin ekonomik para zgjedhjeve parlamentare më 28 dhjetor.
Gjatë vizitës në Prizren, Hamza zhvilloi biseda me bizneset lokale, duke përfshirë edhe takimin në ESNAF me biznesmenë dhe zejtarë. Ai prezantoi masa konkrete për lehtësimin e barrës financiare dhe burokratike për biznese: ndryshimi i pagesës së TVSH-së për mallrat e importuara pas shitjes dhe jo në kufi, lirimi i bizneseve me qarkullim deri në 10,000€ nga tatimi, dhe tatimi sipas fitimit real për bizneset me qarkullim deri në 30,000€. Përveç kësaj, ai premtoi përmirësim të qasjes në kredi dhe mundësi më të mëdha për investitorët, që do të rrisnin konkurrencën dhe punësimin.
Në një video të shpërndarë mëngjesin e sotëm, Hamza flet për nevojën e bashkimit dhe tejkalimit të përçarjeve dhe krizave në Kosovë.
Ndërsa në tubimin e mbajtur në Suharekë, Hamza falënderoi qytetarët për mikpritjen, “Therandë, faleminderit për mikpritjen! Bashkë për mundësi të reja. Hapi tjetër është përpara. Bashkë. Përpara.”






