Komisioneri Evropian i Tregtisë, Maros Sefcovic paralajmëroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të vendosin tarifa të reja për eksportet evropiane, duke synuar deri në 97% të mallrave të eksportuara.
“Përveç një hetimi të vazhdueshëm mbi lëndën drusore, administrata amerikane kohët e fundit hapi gjashtë hetime të mëtejshme për të përcaktuar efektin e importeve në sigurinë kombëtare”, tha Sefcovic.
“Sektorët shtesë të synuar përfshijnë produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit, mineralet kritike dhe kamionët dhe pjesët e kamionëve”, tha ai, duke iu drejtuar Parlamentit Evropian në Strasburg.
“Nëse të gjitha këto hetime çojnë në tarifa shtesë, 97% e eksporteve të BE-së në SHBA do t’i nënshtroheshin detyrimeve të importit që përfaqësojnë një vëllim tregtar prej 549 miliardë eurosh (622,8 miliardë dollarë)”, tha ai.
“Situata si e tillë nuk është e pranueshme dhe nuk mund të përballojmë të qëndrojmë duarkryq”, tha Sefcovic.
Komisioneri i Tregtisë përsëriti ambicien e BE-së për të gjetur një zgjidhje të negociuar me SHBA-në.
“Tani kemi nevojë që SHBA-ja të tregojë gatishmërinë për të bërë progres drejt një zgjidhjeje të drejtë dhe të ekuilibruar”, tha ai.
Përveç ndjekjes së bisedimeve, Brukseli po përgatitet për të bërë një padi për të ruajtur dhe përforcuar sistemin tregtar të bazuar në rregulla shumëpalëshe”, tha Sefcovic, dhe po përshpejtonte negociatat e tregtisë së lirë me partnerë të tjerë tregtarë globalë.
“SHBA-ja përfaqëson 13% të tregtisë globale. Është shumë. Por nuk duhet të harrojmë 87% të mbetur”, tha ai.
Në prill, presidenti i SHBA-së Donald Trump pezulloi taksat speciale ndaj importeve nga shumica e partnerëve tregtarë, përfshirë BE-në, për 90 ditë, duke bërë që blloku të pezullonte kundër-tarifat e planifikuara për të lejuar bisedime të mëtejshme.