Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë arritur një marrëveshje, në të cilën përfshihet një pakt 12-vjeçar për qasjen e anijeve të peshkimit të vendeve të BE-së në ujërat britanike, gjë që pritet të shkaktojë reagime.
Redaktori i BBC-së për tema politike, Chris Mason, thotë se Qeveria e Britanisë do të argumentojë se i ka përmirësuar të drejtat e tregtisë për prodhimet ushqimore e bujqësore që shiten nga Mbretëria e Bashkuar në territorin e BE-së.
Sidoqoftë, në qendër të marrëveshjes do të jetë pakti i sigurisë dhe mbrojtjes, theksoi ai.
Të dyja palët do ta vënë në pah dëshirën e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit, sipas Mason-it.
Elemente të tjera kyçe të marrëveshjes do të jenë subjekt i negociatave të mëtejme, si ideja për një skemë mobiliteti për të rinjtë.
Arritjen e marrëveshjes së re për të drejtat e peshkimit e konfirmuan edhe dy diplomatë të BE-së. Sipas tyre, pakti do të jetë në fuqi deri në vitin 2038.
Kushtet aktuale të marrëveshjes pritej të skadonin vitin e ardhshëm. Brukseli ka qenë duke kërkuar një zgjidhje për qasje për shumë vjet./Nacionale